Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në samitin e ekonomisë së kaltër “Ohrid Blue Economy Summit” në Ohër të Maqedonisë së Veriut, samit ky i pari i këtij lloji i cili trajton rëndësinë e bazeneve të ujërave të ëmbla dhe që për fokus ka sfidat specifike të qëndrueshmërisë në sektorët e turizmit, bujqësisë, prodhimit dhe komunave.
Rektori Hajrizi në një tryezë të rrumbullakët së bashku me pjesëmarrës të tjerë të shquar ka diskutuar dhe ka prezantuar koncepte rreth ekonomisë së kaltër (Blue Economy), përmes kërkimit dhe inovacionit, duke treguar kështu rëndësinë që ka shkenca në qarkoren ekonomike të kaltër.
“Universiteti duhet të jetë një zonë e zgjuar e shkallës, duhet të krijohet një themel i cili në njërën anë ka digjitalizimin dhe në anën tjetër ndikimin në qëndrueshmëri. Çfarë ne kemi planifikuar dhe jemi duke ndërtuar është një ekosistem inovativ, që përfshinë një infrastrukturë të sistemit të zgjuar dhe digjitalizimit dhe programe unike, duke dhënë një qëndrueshmëri në zhvillim dhe diçka unike për të rinjtë”, ka thënë rektori Hajrizi.
Në mesin e qindra ekspertëve, pjesëmarrësve dhe folësve nga pushteti qendror dhe lokal, institucione ndërkombëtare zhvillimore, bankave, organizatave specifike të sektorëve të ndryshëm, si dhe kompanive që promovojnë inovacione në teknologjitë e kaltra dhe të gjelbra, rektori Hajrizi ritheksoi gjetjen e zgjidhjeve potenciale, inovative të problematikave që ndërlidhen me ekonominë e kaltër, duke dhënë shembull ekosistemin e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së.