UBT News

Rektori Hajrizi mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zhvillim Rajonal

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë si panelist në Konferencën Ndërkombëtare për Zhvillim Rajonal të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Në një panel me përfaqësues të qeverive nga vendet e rajonit, rektori Hajrizi foli për rolin e universiteteve në krijimin e kuadrove për zhvillimin e politikave për zhvillim të balancuar rajonal dhe koordinim të proceseve institucionale.

Rektori Hajrizi tha se bashkëpunimi në mes të komunave që i përkasin të njëjtit rajon është i domosdoshëm për një zhvillim më të qëndrueshëm rajonal. Në këtë kuadër, ai tha se mund të krijohet një ekosistem i cili përveçse i bën komunat që të angazhohen për interesa të përbashkëta rajonale, duke i harmonizuar kërkesat e tyre, iu mundëson atyre, po ashtu, koordinim më të lehtë edhe me nivelin qëndror në realizimin e projekteve të tyre të përbashkëta.

Në zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, rektori Hajrizi tha se një rol të madh luan edhe edukimi i mirëfilltë, pasi sipas tij burimet njerëzore dhe infrastruktura hulumtuese janë dy parakushtet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm rajonal.

Në këtë konferencë ndërkombëtare ishin të pranishëm zyrtarë të lartë e përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë e Turqisë.

Exit mobile version