Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me rastin e Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit.
Rektori Hajrizi para një audience të përbërë nga përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe përfaqësues të shumtë nga industria dhe sferat e tjera foli për bashkëpunimin e akademisë me sektorin privat në hulumtimin dhe zhvillimin e ideve inovative në ndërmarrësi.
Rektori Hajrizi vuri në pah domosdoshmërinë e transformimit të ekonomisë tradicionale në ekonomi digjitale. Duke folur për kreativitetin dhe inovacionin ai tha se duhet të gjithë bashkarisht të punojnë, përfaqësues nga akademia, industria dhe institucionet në mënyrë që të ketë sukses në ndërmarrësi dhe zhvillim ekonomik në përgjithësi.
💭 “Kreativiteti nuk do të thotë me qenë vetëm individual por duhet të zhvillohet nga një ekip i përbashkët, ku të gjithë ofrojnë ide dhe pastaj bashkarisht krijojnë diçka të re”, u shpreh Rektori Hajrizi duke shtuar se “ne duhet t’i mbështesim të rinjtë që të angazhohen në qasje ekipore dhe jo individuale, sepse ne sot jetojmë në kohën e revolucionit të konvergjencës ku kapaciteti i një individi nuk është i mjaftueshëm për kreativitetet dhe inovacionet që kërkohen në botë”.
Rektori Hajrizi tha se kërkohet një bashkëveprim më i madh i njerëzve të fushave të ndryshme për të arritur diçka të re.