Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në hapjen e festivalit të vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, festival ky i cili ka bërë bashkë përfaqësues të institucioneve publike dhe private, fermerë, vreshtarë e artistë në qytetin e Rahovecit.
Rektori Hajrizi është takuar me fermerë, vreshtarë e përfaqësues të institucioneve publike dhe private, duke u garantuar atyre mbështetjen e pa rezervë të UBT-së për organizime të tilla që kanë synim promovimin e produkteve dhe zhvillimin e ekonomisë vendore.
Ndër të tjera, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i ka përgëzuar organizatorët për punën dhe angazhimin e tyre rreth këtij festivali, që ngërthen në vete vlerat kulturore kombëtare dhe prodhimtarinë vendore.
Edicioni i sivjetshëm i 21-të i Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest” me sloganin “Ca kokrra rrushi”, është program argëtues mbarëkombëtar dhe rajonal, duke u mundësuar fermerëve, vreshtarëve, prodhuesve të verës, artistëve, rinisë dhe popullatës së kësaj ane, mundësinë që të jenë aktiv në jetën shoqërore dhe kulturore.