Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në edicionin e pestë të konferencës së organizuar nga qendra SDEWES në qytetin e Vlorës, në kuadër të zbatimit të reformave afatgjate që synojnë rritjen e konkurrencës dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të balancuar të sistemeve energjetike të ujit dhe mjedisit.
Në kuadër të kësaj konference rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi prezantoi para të pranishmëve arritjet e UBT-së në zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve energjetike dhe krijimin e hapësirave të reja për studentët e UBT-së, duke e bërë të mundshme angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë në këtë fushë.
Në këtë konferencë ku pjesëmarrës ishin ekspertë të vendeve të ndryshme, rektori Hajrizi, së bashku me ekspertin e konkurrencës në OECD, Karoly Nagy, prezantuan punimin shkencor për zhvillimin e qëndrueshëm, duke dhënë detaje më të hollësishme për ndikimin e revolucionit të dytë kuantik.
Rektori Hajrizi në këtë sesion prezantoi ekosistemin e UBT-së me bazë në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe teknologjinë e mençur të quajtur: “UBT Smart City – Small Scale Sustainable Smart Innovation Ecosystem”, e që e gjithë kjo është krijuar dhe zhvilluar në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së.
Qendra SDEWES është një shoqatë shkencore e dedikuar për kërkime multidisiplinare të sfidave më të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm të sistemeve të energjisë, ujit dhe mjedisit, dhe ofron një platformë për komunikim midis studiuesve.