Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, po merr pjesë në Javën Ndërkombëtare të Bashkëpunimit Akademik, e cila po mbahet në Universitetin Teknik të Sofjes (TU-Sofia).
Në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar, Rektori Hajrizi shoqërohet nga një delegacion prej pesë anëtarësh nga UBT, përfshirë profesorë dhe studiues të fushave të ndryshme, të cilët kanë mbajtur prezantime dhe kanë shkëmbyer përvoja me përfaqësues të universiteteve nga Evropa, Amerika Latine dhe rajoni i Ballkanit.
Rektori Hajrizi ka zhvilluar takime me Rektorin e TU-Sofia, Prof. Dr. Georgi Venkov, Zëvendësrektoren Prof. Dr. Lidia Galabova, si dhe me drejtoreshën e programit Erasmus+ në Bullgari dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve akademike partnere.
Rektori Hajrizi mbajti një prezantim mbi vizionin dhe qasjen e UBT-së si një institut lider në arsim, i cili ndërthur arsimin, kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik në mënyrë të integruar. Ndërsa, Prof. Dr. Zhilbert Tafa, zhvilloi një prezantim rreth temës “Insights and Research in IoT” dhe Prof. Dr. Besnik Qehaja prezantoi hulumtime të reja në fushën e menaxhimit dhe inovacionit.
Delegacioni i UBT-së u bë pjesë aktive e paneleve dhe ligjëratave të shumta, ku trajtuan tema aktuale si: inteligjenca artificiale, algoritmet për edukim të personalizuar, digjitalizimi i arsimit, IoT dhe zhvillimet në rrjetet e avancuara 6G.