Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në rastin e Festës së 104-vjetorit të themelimit të Universitetit Ndërkombëtar të Ekonomisë (University of National and World Economy (UNWE/УНСС)), në Sofia të Bullgarisë.
Me këtë rast, Rektori Hajrizi takoi Rektorin e UNWE-s, Prof. Dr. Dimitar Dimitrov, me të cilin diskutoi për projektet e reja dhe diplomat e përbashkëta, si dhe për fillimin e realizimit të programit Erasmus+ ndërmjet dy institucioneve, i cili është aprovuar të financohet nga Bashkimi Evropian.
Gjatë ceremonisë, Rektori së bashku me bashkëpuntorët e tij, Dekani i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Prof. Muhamet Gërvalla dhe Prof. Bekim Marmullaku, realizuan edhe takime me përfaqësues të Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, dekanë, profesorë të universitetit, si dhe me Maxim Behar, kryetarin e Bordit të Universitetit dhe një mik të madh të Kosovës.