Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar në Barcelonë të Spanjës, në Konferencën Globale: “Triple Helix & ACEEU”, për të prezantuar UBT-në si model unik për Smart City, rolin e ndërmarrësisë, angazhimin e universiteteve për zhvillimin e qëndrueshëm dhe ambientin, si dhe për ndryshimet klimatike.
Në këtë konferencë, rektori Hajrizi ishte folës në kuadër të sesionit “Forward Force: insights from entrepreneurial leaders – resentations of Triple E Award”, ku edhe prezantoi modelin e UBT-së për qytetin e mençur, të zhvilluar në Parkun Shkencor Inovativ.
Tema e titulluar: “UBT – Smart Self Sustain Innovation based Ecosystem (Smart City)”, shpërfaqi idenë dhe implementimin unik të një ekosistemi që është zhvilluar për herë të parë nga një universitet, e që studentëve u ka dhënë hapësirë për të hapur diapazonet e tyre të shkencës dhe dijes.
Para shumë pjesëmarrësve nga mbarë bota, përmes UBT-së, Rektori Hajrizi prezantoi edhe Kosovën, si mundësi unike për zhvillimin e shumë veprimtarive, duke e dhënë shembull UBT-në si institucion që ka arritur të zhvillohet me teknologjitë më të sofistikuara të kohës.
Pjesëmarrja e Rektorit Hajrizi në këtë konferencë është e një rëndësie të madhe për krijimin e partneriteteve të reja dhe mundësive të shkëlqyeshme për të rinjtë nga Kosova dhe rajoni, si dhe për ndërkombëtarizimin e Kosovës.
Forumi i Palëve të Interesit të ACEEU 2023 është një ngjarje që bashkon ekspertë nga mbarë bota dhe një nga shtytësit kryesorë për të çuar përpara kufijtë e sipërmarrjes dhe angazhimit të komunitetit në Arsimin e Lartë.