UBT News

Rektori Hajrizi diskuton për të ardhmen e arsimit dual në konferencën EU4DUAL në Spanjë

Në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare për avancimin e arsimit dhe inovacionit, Rektori i UBT-se, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Konferencën Vjetore të Aleancës Evropiane për Edukimin Dual, EU4DUAL, e cila u zhvillua në San Sebastian të Spanjës.

Kjo ngjarje prestigjioze mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike dhe kërkimore nga universitetet më të njohura të Evropës, si dhe përfaqësues të industrisë, të cilët diskutuan për avancimin e arsimit dual dhe ndikimin e tij në tregun e punës dhe zhvillimin e inovacionit në shkallë globale.

 

Gjatë konferencës, Rektori Hajrizi mori pjesë në diskutime thelbësore për çështje si ekonomia e gjelbër, e ardhmja e punës, shëndeti, prodhimtarinë e qëndrueshme, si dhe integrimin e inteligjencës artificiale (AI) në fushat kyçe të zhvillimit të shoqërisë moderne. Ai u angazhua në takime dhe biseda të rëndësishme me përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve të tjera për të ndarë përvojën dhe praktikat më të mira të UBT-së në lidhje me edukimin dual, inovacionin dhe bashkëpunimin e ngushtë mes akademisë dhe industrisë.

Në këtë ngjarje ndërkombëtare, Rektori Hajrizi theksoi arritjet e rëndësishme të UBT-së, duke përmendur renditjen e Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë në pozita të larta në fusha të ndryshme, përfshirë Teknologjinë e Inteligjencës Artificiale, ku UBT është renditur në vendin e 26 nga WURI. Po ashtu, ai theksoi përkushtimin e universitetit për qëndrueshmërinë klimatike dhe inovacionin, duke e pozicionuar UBT-në si një nga universitetet kryesore në rajon për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Këto rezultate u diskutuan gjerësisht në takimet e konferencës, duke u ndarë përvojat dhe praktikat më të mira për integrimin e teknologjive të avancuara në arsimin dhe kërkimin shkencor.

UBT është e angazhuar në integrimin e modeleve moderne të edukimit dual, për të përgatitur studentët për sfidat dhe mundësitë e një bote gjithnjë e më të digjitalizuar dhe të ndryshuar. Përmes bashkëpunimeve të tilla ndërkombëtare, UBT vazhdon të kontribuoj në forcimin e lidhjeve mes akademisë dhe industrisë, duke ofruar mundësi për zhvillimin e një gjenerate të përgatitur dhe të aftë për të përballuar nevojat e tregut të punës në një periudhë të transformimit digjital dhe inovativ./UBTNews/

Exit mobile version