Në Kazermën e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj sot nuk ishte një ditë e zakonshme, pasi sot përmes ceremonisë së betimit ushtrisë së Kosovës iu bashkuan edhe 257 ushtarë të rinj.
Shumë emocione dhe krenari ndjenin si rekrutët edhe familjarët e shumtë në numër të cilët as temperaturat e larta nuk i penguan që të jenë afër fëmijëve për të festuar të arriturat e tyre.
Ushtari i sapo betuar, Argjend Kolica nga Peja, i cili për 9 javë qëndroi në Kazermën në Ferizaj shprehu emocionet e tij për eksperiencën e re. Ai tha se ndonëse ka pasur sfida gjatë trajnimit falë disiplinës në nivel dhe mënyrës së mirë të trajnimit sot ia doli të diplomojë.
“Kemi kaluar disa sfida që nuk kanë qenë të zakonshme në jetën civile që kanë qenë pak më ndryshe, por që i kemi kaluar me sukses dhe ka qenë një eksperiencë pak më ndryshe për neve edhe ka me ndryshuar jeta jonë shumë në jetën civile për arsye se disiplina këtu ka qenë në nivel shumë më të lartë dhe i kemi mësuar shumë gjëra të reja, vlen të ceket edhe angazhimi i instruktorëve dhe gjithë stafit që na kanë trajnuar në mënyrën më të mirë dhe gjithçka, infrastruktura ka qenë në nivel…. 28’00 Sot kam shumë emocione është një ditë e veçantë jo vetëm për mua por edhe për 256 rekrutët tjerë që morën pjesë në ditën e diplomimit për shkak se ka me qenë një jetë më ndryshe dhe do të vazhdojë një eksperiencë e re”, u shpreh ai.
Për këtë ushtar të ri është ndjenjë e veçantë të bartë uniformën e FSK-së për të cilën u sakrifikua brez pas brezi.
“Është një ndjenjë e veçantë me pas uniformën e FSK-së duke e ditur që brez pas brezi janë sakrifikuar familjarët tanë për të ardhur në këtë ditë që ne me vesh uniformën tonë dhe me u ndje në një mënyrë pak më ndryshe”, theksoi ky rekrut.
Krahas shumë rekrutëve djem që nga sot janë ushtarë të rinj të FSK-së, trajnimin bazik në Ferizaj e kryen edhe disa vajza.
Në mesin e tyre, krenare që ia doli rrugës që kishte nisur shprehet Albulena Gashi. Ajo tha se nuk ka nder më të madh se uniformën e Ushtrisë së Kosovës ta mbajnë edhe vajzat dhe gratë.
“Eksperienca ime në trajnimin bazik ka qenë mjaftë sfiduese, por duke e pasur parasysh faktin se sa krenar bëhemi pastaj kur mundi dhe përkushtimi jonë shpërbëhet sigurisht që ia vlen. Gjatë këtyre nëntë javëve kemi hasur në sfida të ndryshme por të gjitha prej tyre ishin të kalueshme ndonëse ishin pak të vështira… Jam shumë e lumtur për faktin se shoh familjarët të cilët janë krenarë me punën tonë dhe sakrificat tona dhe të gjitha gjërat që i kemi bërë deri sot po shpërblehen këtu para familjarëve tanë… Gjithashtu iu bëjë thirrje edhe gjinisë femërore sidomos që të aplikojnë për faktin se në Forcën e Sigurisë së Kosovës, me profesionalizimin e instruktorëve të cilët drejtojnë sidomos Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në të cilën unë kisha këtë eksperiencë, është barazia gjinore gjithmonë dhe të gjitha gratë dhe vajzat inkurajohen që të aplikojnë në FSK, janë të mirëseardhura dhe janë të trajtuara njëjtë sikurse meshkujt”, u shpreh Gashi.
Nga Peja me shumë gëzim sot kishte ardhur në Ferizaj, Hasan Kastrati pasi në Kazermën e Komandës dhe Doktrinës djali i tij po diplomohej dhe nga sot do t’i bashkohej si ushtar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai tha se përkundër që për 9 javë e kishin djalin e tyre larg, mendimi se ai do t’i shërbejë vendit i ka bërë krenar dhe e kanë kaluar me lehtësi.
“Po ndihemi mirë, emocione krenarie me i shërby vendit nuk ka asgjë më me nder dhe më me respekt… Duke e ditur që e kemi në shërbim për ushtri dhe për vendin gjithmonë kemi qenë krenar dhe sot jemi krenar pa masë”, u shpreh ai.
Në ceremoninë e betimit dhe certifikimit të 257 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës morën pjesë edhe krerë të lartë institucional, por edhe shumë familjarë të rekrutëve të tjerë.