Përveç pandemisë dhe dhunës së armëve të zjarrit, në New York ka një emergjencë tjetër: ajo e numrit të pabesueshëm në rritje, të viktimave të aksidenteve rrugore.
Viti 2021 konsiderohet që tani si viti i zi për sa i përket numrit të viktimave të rrugës. Në vetëm 6 muaj kanë mbetur të vrarë 124 persona, nga këta 64 kalimtarë, 52 shoferë automjetesh dhe 8 çiklistë.
Shifrat janë konfirmuar nga autoritetet amerikane. Të dhëna që shkojnë në kah të kundërt me programin “Vizion Zero”, të krijuar nga kryebashkiaku Bill de Blasio në vitin 2014.
Objektivi i këtij programi ishte reduktimi drastik i numrit të viktimave të aksidenteve rrugore. Më shumë se 1700 persona kanë mbetur të vrarë nga shoferët e automjeteve që kur Bill de Blasio është kryebashkiak – që nga 2014.
Numri i viktimave pësoi rënie në periudhën 2016 – 2018, por u rrit sërish në 2019, duke arritur rekorde në vitin e pandemisë.