Kompania Citroën ka hequr një reklamë në Egjipt që ngjalli shumë reagime. Në reklamë shfaqet ylli i pop-it, Amr Diab, që përdoruesit e rrjeteve sociale po e akuzojnë për normalizim të ngacmimeve seksuale.
Prodhuesi francez i veturave thotë se reklama nuk nxit asnjë lloj ngacmimi dhe u kërkoi falje atyre që u ofenduan nga kjo.
Në projekt, Diab përdor kamerën e veturës për të fotografuar një grua që po e kalonte rrugën, pa lejen e saj. Pastaj shihen bashkë në veturë.
Gazetarja egjiptiano-amerikane, Reem Abdellatif e përshkroi reklamën si “të padëshirueshme”.
“Kush tha se do të jetë ide e mirë që të realizohet një reklamë që nxit ngacmimet seksuale në një vend ku 98% e grave thanë se janë ngacmuar seksualisht?”, shkroi ajo në Twitter.
.
— Amr Diab (@amrdiab) December 3, 2021
لو بتدور على الراحة، يبقى بتدور على ستروين C4 الجديدة!
اتفرج على ستروين C4 الجديدة مع الهضبه واكتشف المعنى الحقيقي للراحة.#CitroënEgypt#NewCitroënC4#AmrDiab#CitroënXAmrDiab pic.twitter.com/mcWZCMigsN
Një person përmes një komenti në llogarinë e Citroën paralajmëroi burrat që e shohin këtë reklamë se fotografimi pa leje mund t’i çojë ata në burg.
Të enjten, Citroën përmes një deklarate njoftoi se e ka hequr reklamën pasi një skenë konsiderohej e papërshtatshme.
Vitet e fundit, dhjetëra gra të frymëzuara nga lëvizja #MeToo kanë treguar në rrjete sociale për përvojat e tyre të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale në Egjipt.
Parlamenti i Egjiptit miratoi dënime më të ashpra për ngacmimet seksuale në muajin korrik, duke ndryshuar kodin penal. Ngacmimi seksual konsiderohet krim dhe dënimi u rrit minimum prej dy vjetësh burg. Megjithatë, autoritetet egjiptiane janë akuzuar se shpesh kanë dështuar në hetimin dhe ndjekjen penale të burrave të akuzuar për ngacmim seksual ose sulm ndaj grave dhe vajzave.
Një studim i OKB-së në vitin 2013 zbuloi se 99.3% e vajzave dhe grave në Egjipt raportuan se kishin përjetuar një formë të ngacmimit seksual gjatë jetës së tyre dhe se 82.6% nuk ndiheshin të sigurta në rrugë./UBTNews