Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Blerim Reka përmes një postimi në Facebook ka komentuar “Non Paper” që u publikua gjatë ditës së djeshme në lidhje me propozimet për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Reka ka shkruar se Bashkimi Evropian kishte filluar në vitet e 90 të nxjerrë ide në publik përmes “Non Paper”.
“Në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, në BE filloi praktikimi i matjes së pulsit për çështje të caktuara përmes “non paper”-ve. Pa autorë e pa vulë, shfaqej idea, pa rrezikuar përgjegjësinë për dështimin eventual. Nëse idea mbijetonte, dokumenti autorizohej dhe po e njëjta përmbajtje e tij zyrtarizohej. Fundja edhe “metodologjia e re” për zgjerim, në vitin 2019 qe paraqitur si “non paper”, por në vitin 2020 u bë dokument zyrtar i BE-së.”, ka shkruar Reka në Facebook
Sipas tij, ky është Non-Paper i dytë brenda javës.
“Për Ballkanin, ndërkaq brenda javës dolën 2 non-papera “evropian”. I pari “slloven”, (për ndryshim kufijsh dhe shtete mono-etnike); dhe i dyti “gjermano-francez”, (i shteteve multi-etnike, për ruajtje kufijsh të jashtëm, por me federalizim të brendshëm të Kosovës)”, ka shkruar ish ministri i Qeverisë Kurti I.
“Sllovenia dhe Gjermania demantuan autorësinë e tyre. “Jo-letrat” ngelën pa emër, ndonëse idetë e tyre morën dhenë. Pikërisht, si para 25 vitesh, kur në Bruksel, liferoheshin: si teste idesh. Sot, për të testuar 2 skenarët e finales se dialogut: Kosovë-Serbi”, ka shkruar në fund Reka.
Kjo letër e cila raportohet se është e shkruar nga Franca dhe Gjermania, është mohuar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rode.
.