UBT News

Regjistrohet viktima e parë nga zjarret në Shqipëri, digjen plotësisht dy fshatra

Shqipëria ka regjistruar viktimën e parë nga zjarret e këtyre ditëve. Një 80-vjeçar nga fshati Kullollas i Gramshit ka humbur jetën si pasojë e asfiksimit nga tymi. Sipas Policisë, ai kishte ndezur zjarr në kopshtin e banesës, i cili doli jashtë kontrollit dhe u përhap masivisht në disa fshatra.

Situata në njësinë administrative Skënderbegas është alarmante. Administratori lokal ka konfirmuar se dy fshatra – Kullollas dhe Bletëz – janë djegur plotësisht, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe fshatra të tjerë. Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve në Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.

Në terren po punojnë ekipe të zjarrfikësve, emergjencave civile dhe policisë, ndërsa dy helikopterë Cougar po ndihmojnë në shuarjen e zjarreve nga ajri. Në vendngjarje kanë mbërritur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako. Flakët kanë shkatërruar edhe Teqenë e Shemberdhenjes, një objekt me vlerë historike dhe fetare në zonë.

Exit mobile version