Natalia MENDOZA
Më shumë se 116 mijë refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Itali që kur Ukraina u pushtua nga Rusia në fund të shkurtit. Për strehimin e tyre, autoritetet italiane kanë nisur të përdorin pronat e sekuestruara nga mafia.
Italia kishte tashmë popullsinë e dytë më të madhe ukrainase në Evropë përpara fillimit të luftës. Tani kanë mbërritur edhe dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas.
Një prej tyre është Tetiana, e cila u largua nga qyteti i Buçës, 30 kilometra në veri të Kievit, me katër fëmijët dhe nënën e saj. “Lufta ishte e ashpër. Kur fillonin bombardimet në zonën tonë, ne dëgjonim vazhdimisht raketa mbi kokën tonë”, thotë ajo.
Tani Tetiana dhe familja e saj jetojnë në Rescaldina, në veri të Milanos, në këtë banesë të sekuestruar nga ‘Ndrangheta, mafia kalabreze.
Kjo është një nga 3250 pronat e sekuestruara nga grupet e krimit të organizuar në Lombardi, nga të cilat 662 janë vënë në dispozicion të refugjatëve ukrainas deri më tani.
Kryebashkiaku i Rescaldinas, Gilles Ielo, shpjegoi, “Ne po presim që administrata të na japë listën e njerëzve që do të strehohen këtu. Po i përfundojmë prekjet e fundit, sepse kjo shtëpi sapo është rinovuar”.
Shteti italian zotëron aktualisht rreth 40 mijë prona që dikur ishin në duart e mafias. Është një portofol pronash me vlerë më shumë se 300 milionë euro, i menaxhuar nga një agjenci kombëtare që administron asetet e sekuestruara ose të konfiskuara nga krimi i organizuar.
“Ne zgjodhëm shtëpitë që mund të përdoreshin menjëherë,” thotë Bruno Corda, drejtori i agjencisë./UBTNews/