Janë bërë 32 vjet qëkur shqiptarët e Luginës së Preshevës në mënyrë të unifikuar, pa dallim moshe e gjinie, dhanë verdiktin e tyre dhe votuan masivisht ‘PËR autonomi politike-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Kjo zgjedhje ishte jo vetëm një kërkesë për autonomi, por edhe një shprehje e dëshirës për bashkim kombëtar nën hijen e proceseve demokratike.
Rreth 99% e shqiptarëve të Luginës së Preshevës respektivisht mbi 45 mijë shqiptarë me të drejtë vote, në 71 vendvotime, më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, patën votuar që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të shpallin autonomi politike dhe territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Verdikt i popullit ky që edhe pas 32 vjetëve nuk po jetësohet.
Edhe aso kohe ekzistonin polemikat mes shqiptarëve rreth asaj se çka duhet të përmbajë referendumi.
Nën presionin sistematik, referendumi u mbulua si ngjarje edhe nga gazetarë lokal dhe rajonal me qëllim sensibilizimin e masës.
Pas kësaj ngjarje, shqiptarët e Luginës së Preshevës ndërmorën një mori hapash të mëtejshëm për realizimin e qëllimit të tyre kombëtar. Pas luftës në Kosovë, shqiptarët u mobilizuan dhe formuan Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Pas ngjarjes së referendumit, Prishtina ka qenë dhe mbetet qendra shpirtërore kombëtare për shqiptarët e Preshevës.
Se a po mbetet ngjarja historike e referendumit arkiv argumentues për shqiptarët e kësaj ane, Ragmi Mustafi shprehet optimist për realizimin në tërësi të këtij plani./UBTNews/
Realizoi: Dionesa Ebibi