Australia ka shtuar Reddit dhe platformën e transmetimeve të drejtpërdrejta Kick në listën e faqeve të ndaluara për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.
Me këtë vendim, numri i rrjeteve sociale të ndaluara shkon në nëntë, duke përfshirë edhe Facebook, X, Snapchat, TikTok, YouTube, Instagram dhe Threads.
Nga data 10 dhjetor, kompanitë teknologjike do të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australian nëse nuk marrin masat për të çaktivizuar llogaritë ekzistuese të përdoruesve nën 16 vjeç dhe për t’i ndaluar ata që duan të hapin llogari të reja.
“Ndalimi i qasjes së fëmijëve në rrjetet sociale u jep atyre kohën që të mësojnë dhe të rriten, të çliruar nga forcat që mund t’i dëmtojnë,” tha komisionerja për Sigurinë Elektronike në Australi, Julie Inman Grant.
Platformat e mesazheve Discord dhe WhatsApp, dhe platformat e lojërave Lego Play dhe Roblox, nuk do të përfshihen, po ashtu as Google Classroom dhe YouTube Kids.
Ende nuk është e qartë se si kompanitë do të zbatojnë ndalimin, i cili po monitorohet nga afër nga liderët globalë. Metodat e mundshme përfshijnë përdorimin e dokumenteve të identifikimit, miratimin e prindërve dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës. /A.Z/UBT News/
