Deputeti i PDK-së Elmi Reçica ka thënë se në Ministri të Mbrojtjes ka një dualizëm të qartë. Sipas tij, nuk është vetëm çështja e ushqimit problem në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Reçica, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për mungesën e ushqimit në FSK, tha se dualizmi po bëhet për shkak të ndikimit të Dejona Mihalit përmes komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër ministri.
Ai tha se arsyeja e dorëheqjes së Armend Mehaj nga udhëheqja e Ministrisë së Mbrojtjes erdhi për këto arsye dhe se ministri aktual i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po përballet me të njëjtat probleme.
“Këtu kemi një dualizëm të qartë, për atë arsye ka përplasje brenda asaj ministrie. E ke Qeverinë e Albin Kurtit me ministrat e vetë, dhe e ke Dejona Mihalin me komitetet e Vetëvendosjes, që janë ministri paralele. A di çfarë thonë ata? I thonë zëvendësministrit ‘shko ti, por ti ke me qenë ministër’. Dhe pastaj atë e konsiderojnë si ministër. Dhe për këtë arsye atje ka rrahje, ka keqpërdorime, ka nxjerrje të vendimeve, dokumenteve, që nuk janë të ministrit. Pse iku ministri paraprak që me aq bujë e prezantuan? Për këto arsye. Pse ky ministër është në gjendje shumë të rëndë tash aktualisht? Për këtë arsye”, tha Reçica.