Aktorja australiane Rebel Wilson është liruar nga akuzat për shpifje, pasi një gjykatë në Sidnei hodhi poshtë padinë e ngritur nga aktorja e re Charlotte MacInnes.
MacInnes, e cila luajti në filmin The Deb, pretendonte se Wilson i kishte dëmtuar reputacionin përmes disa postimeve në Instagram gjatë viteve 2024 dhe 2025. Në to, Wilson kishte pohuar se MacInnes kishte tërhequr ankesën e saj për ngacmim seksual ndaj një producenti filmi për të avancuar karrierën, pretendim që aktorja e re e mohoi.
Gjykatësja Elizabeth Raper vendosi se pretendimi se MacInnes kishte ndryshuar versionin e saj të ngjarjes nuk përbënte shpifje sipas ligjit. Ajo gjithashtu konstatoi se paditësja nuk kishte arritur të provonte se postimet i kishin shkaktuar ose mund t’i shkaktonin dëm serioz reputacionit të saj.
Si rezultat, gjykata hodhi poshtë padinë dhe urdhëroi Charlotte MacInnes të mbulojë shpenzimet gjyqësore të Rebel Wilson.
Çështja lidhej me një incident të ndodhur në shtator të vitit 2023, kur MacInnes kishte shkuar në plazhin Bondi me producenten Amanda Ghost. Pas një reaksioni alergjik të Ghost ndaj ujit të ftohtë, të dyja u kthyen në apartamentin e saj, ku ndodhi episodi që më vonë u bë pjesë e mosmarrëveshjes ligjore.
Pas vendimit, Rebel Wilson reagoi në rrjetet sociale duke thënë se procesi gjyqësor e kishte vënë në provë, por edhe i kishte forcuar bindjen për të mbrojtur atë që e konsideron të drejtë.
“Ky proces më ka mësuar shumë. Më ka sfiduar, por edhe ma ka përforcuar bindjen se dua të jetoj duke mbrojtur atë që besoj se është e drejtë, ndërsa vazhdoj të krijoj projekte që u sjellin gëzim njerëzve”, shkroi Wilson, duke falënderuar mbështetësit e saj dhe sistemin australian të drejtësisë./BBC//A.K/
