Komisioni Evropian kreu disbursimin e mjeteve financiare në vlerën prej 67.5 milionë eurove. Kjo është pagesa e transhit të parë të përkrahjes buxhetore në kuadër të programit vjetor IPA 2023, që në total kap vlerën prej 75 milionë eurove.
Sipas Ministrisë së Financave, mbështetja e BE-së e plotëson skemën e qeverisë për mbështetje të energjisë, e cila do të fillojë menjëherë zbatimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare për familjet më të cenueshme dhe më të pafavorizuara, stimulimin e kursimeve të energjisë nga konsumatorët familjarë, mbështetjën e konsumatorëve individualë familjarë duke përfshirë konsumatorët e cenueshëm përmes rritjes së efiçiencës energjetike të njësive të banimit dhe ndërtesave.
“Mbështetja e konsumatorëve shtëpiak duke përfshirë konsumatorët e cenueshëm në investimin në pajisje shtëpiake me efiçiencë energjetike dhe sisteme të energjisë së ripërtërishme; Stimulimi i kursimeve të energjisë nga ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vijojë të mbështesë qytetarët dhe të lehtësojë pasojat sociale dhe ekonomike për kategoritë më të prekura nga efektet e krizave të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përmes dhe një politike të qëndrueshme dhe të besueshme në menaxhimin e financave publike. Ky është kësti i parë i parave që Kosova i merr nga pakoja e BE-së për mbështetjen për energji për Ballkanin Perëndimor. Pakoja është krijuar nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj për t’i ndihmuar rajonit që ta kapërcejë krizën energjetike dhe rritjen e madhe të çmimeve të energjisë që i ka shkaktuar agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës”, thuhet në njoftim.