UBT News

​Reagon zyrtarisht fondacioni për mbrojtjen e Thaçit: MD paguan vetëm një avokat, procesi është stërzgjatur

Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka reaguar edhe zyrtarisht pas paqartësive të krijuara në publik lidhur me ndërprerjen e kontratës me disa prej avokatëve të Thaçit në Hagë dhe shqetësimet e krijuara te qytetarët lidhur me procesin gjyqësor.

Në reagimin e tyre, ky fondacion shpreh shqetësime lidhur me procesin e stërzgjatur përtej çdo parashikimi, duke thënë se shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme.

Duke mos dashur që të bëhen barrë e shtetit, sipas komunikatës zyrtare të fondacionit, tregohet se familja e presidentit Thaçi asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar skemën e mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për më tepër se tri vjet, e cila u mundësohet bazuar në legjislacionin primar e sekondar dhe ajo do të vazhdojë t’i mbulojë vetë shpenzimet e tyre familjare. Por, sipas tyre, procesi po stërzgjatet përtej çdo parashikimi dhe shpenzimet e ekipeve të mbrojtjes po bëhen të papërballueshme për familjen dhe njerëzit vullnetmirë, prandaj si fondacion shprehin shqetësimin për procesin e mëtejmë dhe pamundësinë për t’iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë dje ka sqaruar se realizon pagesa vetëm me avokatët me të cilët ka marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi – Luka Misetiq, ndërsa për avokatet tjerë potencialë, të cilët angazhohen nga Thaçi, MD nuk ka marrëveshje dhe nuk mban përgjegjësi për realizmin e pagesave.

Exit mobile version