Kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla nuk kanë raportuar sot në Komisionin Parlamentar për të pagjeturit. Lidhur me këtë Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika të shumta ndaj Qeverisë Hoti, duke thënë se këto janë dëshmi e shpërfilljes së tyre dhe të kësaj Qeverie të fatit të personave të pagjetur.
“Kësisoj, refuzimi i mëhershëm i Driton Selmanajt dhe refuzimi i sotëm i Avdullah Hotit dhe Meliza Haradninaj Stubllas, janë dëshmi e shpërfilljes së tyre dhe të kësaj Qeverie të fatit të personave të pagjetur. Të pagjeturit po përdoren si monedhë për kusuritje dhe kushtëzim kinse me kthimin e personave të zhvendosur.”, thekson VV-ja.
VV-ja thotë se shteti i Serbisë i ka të gjitha informacionet për varrezat masive dhe për fatin e të pagjeturve.
“Po ashtu dhe mbi përgjegjësit dhe urdhërdhënësit e dhunimeve seksuale gjatë luftës. Refuzimi për të zbardhur këtë çështje dhe për të kthyer trupat është vazhdim i lojës me vuajtjet e familjeve që kërkojnë trupat e më të dashurve të tyre dhe dinjitetin e Kosovës si shtet. Ndërsa, fshehja dhe heshtja për dhunimet seksuale si aparat i luftës është edhe më e rëndë. Për më tepër vënja e paraleleve me të zhvendosurit, duke i konsideruar si të zhvendosur brenda vendit të larguarit nga Kosova për në Serbi prejudikon Kosovën si pjesë të Serbisë.”, thekson VV-ja./UBTNews