Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla reagoi pasi xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës.
Sipas Sveçlës, Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Kosovës, duke cenuar hapur integritetin territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit e cila ka prani më të shtuar të KFOR-it.
“Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës. Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar. Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit”, shkruan Sveçla.
Ai po ashtu shkroi se kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme.
“Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë. Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë”, shkruan ai.
Policia e Kosovës pretendon se ai u plagos dhe u rrëmbye nga xhandarmëria serbe./S.K/KP/PK
