Organizata “Mollëkuqja” ka dalë me një reagim pas takimit të Zaev, Rama dhe Vucic, ku sipas kësaj organizate, edhe në këtë takim gratë janë në prapavijë.
Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” është tejet e shqetësuar me fotografinë e takimit të fundit mes liderëve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë. Gratë në rajon dhe jo vetëm, e kanë dëshmuar në disa raste se janë shumë më shumë se sa shërbyese të burrave për shkak se ata janë të ulur në pozitat që ua ka dhuruar mendësia patriarkale.
Fotografia më poshtë pasqyron gjendjen aktuale të grave në rajon dhe se si këto gra, shihen në sytë e politikanëve tanë. I rikujtojmë kryeministrit Zoran Zaev , Edi Rama dhe Aleksandar Vučić se nuk mund qëllimi juaj të jetë “zhvillimi i rajonit” përderisa gjysmën e rajonit e trajtoni si shërbëtore tuajën.
“Mollëkuqja” vazhdimisht ka alarmuar për nevojën e përfshirjes të grave në politikë dhe ndarjes së pozitave menaxhuse (ekzekutive), grave. Për më shumë, shtetet me nivelin më të ulët të korrupsionit, njëherit dhe ndër më të zhvilluarat, udhëhiqen nga gra.
Mollëkuqja, 30.07.2021./ KultPlus