Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka reaguar pasi Gjykata Themelore sot e shpalli fajtor lidhur me rastin e 53 milionëshit, duke e dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim.
Lekaj ka thënë se vendimi ishte i padrejtë dhe i pabazuar, derisa tutje ka shtuar se kundërshtarët e tij nuk duhet të gëzohen para kohe, pasi siç tha ai e drejta do të dalë shumë shpejt në shesh.
“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi”! Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve të mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi”, ka thënë Lekaj.
Lekaj është dënuar me 3 vjet e tetë muaj për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.