Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara dhe aktin e dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila përveç se duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale.
“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë”, reagon LDK-ja.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, apelon që insitucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm./UBTNews