Komuna e Prishtinës ka reaguar ndaj pretendimeve për nisje të hetimeve nga Prokuroria Speciale për kontratën me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit.
Në një përgjigje me shkrim, kryeqyteti ka njoftuar se asnjë zyrtar komunal, përfshirë kryetarin Përparim Rama, nuk është kontaktuar e as intervistuar nga Prokuroria Speciale.
“Kryeqyteti nuk ka asnjë informatë apo komunikim zyrtar rreth fillimit të hetimeve për kontratën me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit. Asnjë zyrtar komunal nuk është kontaktuar e as intervistuar nga Prokuroria Speciale. As kryetari i Kryeqytetit nuk është ftuar për intervistim në asnjë cilësi për këtë kontratë, dhe për asnjë hetim tjetër për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e tyre.