UBT News

Infantino: Kosova ka vend të veçantë në zemrën time

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka reaguar në rrjetet sociale pas dekorimit me Medaljen Presidenciale të Meritës nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një postim në Instagram, Infantino u shpreh i nderuar për këtë çmim, duke e dedikuar atë legjendës së ndjerë të futbollit kosovar, Fadil Vokrri, dhe popullit të Kosovës.

“Jam thellësisht i nderuar që mora Medaljen Presidenciale të Meritës nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Ia dedikoj këtë çmim një lideri dhe legjende të madhe, të ndjerit Fadil Vokrri, si dhe të gjithë njerëzve të këtij vendi të bukur që vazhdojnë të tregojnë guxim dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme,” shkroi Infantino.

Kreu i FIFA-s shtoi se Kosova zë një vend të veçantë në zemrën e tij, pasi udhëtimi i përbashkët filloi në vitin 2016, kur Federata e Futbollit e Kosovës u pranua si anëtare e FIFA-s.

“Që atëherë, futbolli ka bërë përparime të mëdha në Kosovë. Themelet u hodhën nga Fadil Vokrri dhe trashëgimia e tij po vazhdohet nga presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi, me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentes Osmani,” shtoi ai.

Infantino vlerësoi lartë Presidenten Osmani, duke e quajtur atë një lidere të jashtëzakonshme që e mbështet me pasion futbollin dhe punon me përkushtim për të ndihmuar dhe fuqizuar fëmijët.

Ai falënderoi gjithashtu ekipin kombëtar dhe të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin e futbollit kosovar./S.K/KP

Exit mobile version