UBT News

Reagon Hoti: Lajmet për dorëheqjen time janë të pavërteta

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas informacioneve që qarkulluan në media se ai ka ofruar dorëheqje. Hoti në Facebook ka shkruar se këto lajme janë të pavërteta.

“Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19”, shkroi ai në Facebook.

Kurse sa i përket zhvillimeve të fundit nga Gjykata Speciale, Hoti u shpreh se partitë kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve, por thotë se asnjëherë s’e ka përmendur dorëheqjen si opsion.

“Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion”, përfundoi shefi i Qeverisë./UBTNews

Exit mobile version