UBT News

​Reagon Haradinaj: Jam i befasuar nga vendimi i Gjykatës për rastin e Lekajt

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pasi Gjykata Themelore sot e shpalli fajtor ish-ministrin Lekaj lidhur me rastin e 53 milionëshit, duke e dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim. Ai shprehet i bindur në pafajësinë e deputetit Lekaj.

“Jam i befasuar nga vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore për rastin e kolegut Pal Lekaj! Dua të besoj fuqishëm në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën e Apelit e cila do ta zbardhë të vërtetën dhe do ta shkarkojë nga çdo akuzë ish-ministrin Lekaj. Çdo person është i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë!I bindur në pafajësinë e kolegut Lekaj”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Lekaj është dënuar me 3 vjet e tetë muaj për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Exit mobile version