Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj është deklaruar pas letrave të shkëmbyera mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe organizatës “Europa Nostra” lidhur me Manastirin e Deçanit.
Ramosaj thotë se asnjëherë Manastiri i Deçanit nuk është cenuar nga qytetarët shqiptarë të Deçanit, por që ky manastir është mbrojtur e ruajtur historikisht.
“Qëllimi kryesor i personelit të manastirit dhe argatëve të shumtë intrigues e mashtrues që mbështesin kauzat e sëmura të manastirit, janë që ta ndalojnë Zhvillimin Ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Deçanit. E kemi theksuar gjithmonë sot e tërë ditën, jemi përkujdesur e zotuar që të jetojmë në harmoni me personelin e manastirit të Deçanit, andaj mos investoni askush të jetë ndryshe. E them me përgjegjësi të lartë se, asnjëherë Manastiri i Deçanit nuk është cenuar nga qytetarët shqiptarë të Deçanit, përkundrazi është mbrojtur e ruajtur historikisht”, shkroi mes tjerash Ramosaj në Facebook.
Sipas tij, çdo incident që ka ndodhur që nga viti 2005 e deri më tani, u krye nga personeli i manastirit dhe është financuar e autorizuar nga vet ky personel. Ai tha se për këto janë në dijeni edhe institucionet e sigurisë, KFOR, Policia e Kosovës dhe kjo dëshmohet edhe nga raportet e KKSB-së.
“‘Europa Nostra’ e gjithë të tjerët duhet ta dinë në këtë qytet kemi rilindur mbas gjenocidit dhe barbarisë gjakatare e shkatërrimtare Serbe ushtruar mbi shqiptarët. Ne jemi të përkushtuar të jetojmë në harmoni e në paqe më të gjithë ata që e duan këtë qytet në të cilin gjindet edhe trashëgimia botërore e quajtur Manastiri i Deçanit i ndërtuar e i ruajtur nga vet ne”, thuhet mes tjerash në shkrimin e tij.
“Europa Nostra” e ka vendosur Manastirin e Deçanit në listën e sivjetme të “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë”. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar kësaj organizate një letër përmes së cilës paraqesin argumentet se ky monument nuk është i rrezikuar. Kurse kjo organizatë përmes një letre iu përgjigj Kurtit dhe Osmanit se do t’i shqyrtojnë argumentet e ofruara, megjithëkëtë theksojnë se ata veprojnë si katalizatorë për ndryshim pozitiv dhe dialog të kthyer nga e ardhmja i cili është i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar të Evropës./UBTNews