Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar lidhur me mosrespektimin e masave antiCOVID-19 nga subjektet politike në kohë fushate.
Avokati i Popullit shpreh shqetësimin lidhur me zbatimin selektiv të masave të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 gjatë fushatës zgjedhore.
“Avokati i Popullit shfaq shqetësimin e tij lidhur me zbatimin selektiv të masave të qeverisë për parandalimin e pandemisë COVID-19, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Përgjithshme 2021. Avokati i Popullit ka vërejtur se që nga fillimi i fushatës parazgjedhore nuk janë respektuar masat anti-covid nga ana e partive politike, ndërsa në anën tjetër institucionet që kanë për obligim t’i zbatojnë këto masa nuk kanë reaguar. Ky është një standard i dyfishtë që nuk mund të tolerohet dhe cenon barazinë e qytetarëve para ligjit. Përveç kësaj, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij për rrezikimin e jetëve të qytetarëve për mosrespektim të masave”, thuhet në komunikatën për media nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit ka ritheksuar obligimin që kanë të gjitha institucionet dhe partitë politike që të respektojnë masat për parandalimin e pandemisë, ndërsa fton autoritetet kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete për respektimin e këtyre masave nga subjektet politike.