Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) kohë më parë ka paralajmëruar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që kjo rritje të bëhet në përputhje me mundësitë ekonomike të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës në mënyrë që ekonomitë familjare të përballojnë këtë rritje duke i mënjanuar protestat që , në rrethana të reja thuaja janë të pashmangshme.
KMDLNj –ë ka kërkuar që inkasimi i faturave për energjinë e shpenzuar të bëhet pa i diskriminuar konsumatorët në baza etnike sikur që të bëhet subvencionimi i faturave për kategoritë sociale , si kriter i vetëm i përkrahjes së kategorive të rrezikuara. KMDLNj ka kërkuar që urgjentisht të ndërpritet pagesa e faturave për serbët në veri të Kosovës gjë që jo se nuk është bërë por ZRRE –e ka kërkuar nga qeveria e Kosovës afërsisht 30 milionë euro për të paguar rrymën për serbët e veriut të Kosovës , për vetëm tre muaj. Me këtë diskriminimi i konsumatorëve në baza etnike jo se nuk është ndërprerë por vetëm se është bërë më i qëndrueshëm dhe se nuk ka shenja se do të ndërprehet. Kosova është në situatë shumë të rënduar energjetike si pasojë e krizës globale dhe ngritjeve të mëdha të çmimeve të energjisë elektrike në tregun botëror andaj ka qenë e pritshme që edhe këtu të ketë rritje të çmimit për ta ruajtur qëndrueshmërinë e furnizimit , pasi filluan reduktime të mëdha . Tash , pasi KEDS –i ka kërkuar të shqyrtojë një rritje të çmimeve të energjisë elektrike , ZRRE , një rregullator që i është bindur urdhërave politik për diskriminim në baza etnike duke diskriminuar shqiptarët dhe joserbët , pagues të rregullt të faturave dhe duke mos kërkuar fare serbëve të veriut të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar , pavarësisht se sa kanë shpenzuar, jo që e miraton kërkesën e një operatori rrjepës siç është KEDS –i por shkon përtej saj duke rritur në mënyrë enorme këto çmime dhe duke e vazhduar diskriminimin e konsumatorëve ekskluzivisht në baza etnike që është kundër të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e zbatueshme në Kosovë që garantojnë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues të të gjithë qytetarëve të Kosovës . Me futjen në lojë të tarifave diskriminimi i qytetarëve thellohet edhe më shumë sikur që e humbë kuptimin zbatimi i çdo ligji që garanton barazi duke ndarë qytetarë në grupe , ata që shpenzojnë deri në 600 kW , ata që shpenzojnë deri në 800 kW , ata deri në 1000 kW dhe shpenzuesit tjerë . Për këta që shpenzojnë deri në 600 kW ka subvencionim kurse qytetarët e dorës së dytë dhe të tretë sipas ZRRE –së dhe qeverisë së Kosovës e që shpenzojnë 800 , 1000 e më shumë kW përveç çmimeve të kripura do të ketë edhe shtesa ndëshkuese që , përveçse është e kundërligjshme , është e pamoralshme dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut. Këto veprime dhe kërkesa përtej çdo mundësie reale për t’i përballuar , deputetët e Kuvendit të Kosovës , pavarësisht partisë politike që i takojnë , si përfaqësues dhe mbrojtës të interesit të qytetarëve duhet t’i kundërshtojnë duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të gjejë një rrugë ku , edhe do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike por që do të ishte e përballueshme për qytetarët e Kosovës . Në kohën kur nuk ka asnjë rritje të pagave , kur ndihmat sociale të kamufluara si pensione kanë një rritje turpëruese , kur të gjithë artikujt ushqimorë , higjienikë dhe të tjera sikur edhe të gjitha shërbimet janë rritur shumë dhe në mënyrë të pakontrolluar vazhdojnë të rriten , të propozosh , të pranosh dhe ta zbatosh rritjen e çmendur të çmimit të energjisë elektrike nuk është asgjë përveçse ftesës së provokuar për protesta të mëdha sociale e që , pa asnjë dyshim do të instrumentalizohen politikisht e që nënkupton një krizë të madhe politike dhe pasiguri të përgjithshme që nuk do të mbahet nën kontrollë . Duhet ta kemi të qartë se rritja e propozuar e çmimit të rrymës pashmangshëm dhe në mënyrë automatike do të prodhojë rritjen e çmimeve për të gjithë artikujt ushqimorë dhe të gjitha shërbimeve .
Qytetarët e Kosovës që për një periudhë 15 vjeçare janë plaçkitur nga KEDS –i , ZRRE – e me pëlqimin e qeverive paraprake dhe kësaj aktuale duke u detyruar të paguajnë rrymën për serbët e veriut të Kosovës , përmes vjedhjes me ndihmën e faturave të fryera duhet të kompensohen kurse të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë dhe po kontribuojnë ende duhet të përballen me ligjin. Ç’kuptim ka atëherë ligji kur një pensionisti apo qytetari të Kosovës , shqiptarë apo joserb , për mosapagim të faturave të energjisë elektrike iu ndërprehet furnizimi kurse për shërbimet si furnizimi me ujë , bartja e plehrave dhe shërbimet tjera ekzekutimi bëhet përmes përmbaruesve , në mënyrë të dhunshme duke ua bllokuar llogaritë kurse po për të njëjtat detyrime nuk ndërmarrin asnjë veprim ndaj serbëve të veriut të Kosovës !? Ku është këtu ligji dhe barazia e qytetarëve para ligjit ?
KMDLNj –ë thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë fuqishëm legalizimin e plaçkitjes së qytetarëve të Kosovës nga KEDS –i dhe ZRRE sikur edhe diskriminimin flagrant në baza etnike kurse , nga qeveria e Kosovës kërkon ta tërheq kërkesën e ZRRE –ë për rritje të çmimit të propozuar të energjisës elektrike duke lejuar një çmim të arsyeshëm dhe të përballueshëm sikur edhe ta ndërprejnë urgjentisht pagesën për rrymën e shpenzuar për serbët e veriut të Kosovës dhe të shërbimeve tjera sepse nuk kanë bazë ligjore për këtë dhe po diskriminojnë në baza etnike dhe raciste mbi 93 % të qytetarëve të Kosovës. Është skajshmërisht e pamoralshme dhe joprofesionale loja e KEDS-it me shifra të rritjes së çmimeve të rrymës duke manipuluar me to kur shumica e qytetarëve të Kosovës nuk i kuptojnë ato . KEDS-i po shet mjegull , ZRRE po e legalizon këtë kontrabandë të kushtueshme për qytetarët e Kosovës kurse qeveria e Kosovës , në vend se të kujdeset për sigurimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike për qytetarët e saj , po e vulosë një plaçkitje ordinere nga KEDS –i , një pjesëmarrje në plaçkitje dhe vazhdim të diskriminimit në baza etnike nga ZRRE duke krijuar situata të paqëndrueshme dhe eskalim të situatës , për pasojat e së cilës përgjegjësi ekskluzive do ta ketë qeveria e Kosovës !