UBT News

Reagon anëtari i shkarkuar nga Bordi i RTK-së: Do ta dëshmoj pastërtinë time para Zotit, familjes e institucioneve

Ish-anëtari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Bajram Mjeku, ka reaguar pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shkarkimin e tij.

Ai ka publikuar letrën që ia kishte dërguar Kryetares së Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media e Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ku kërkonte themelimin e një komisioni hetimor parlamentar.

Në atë letër, Mjeku kishte paralajmëruar se nëse do të shkarkohej nga Kuvendi do ta konsideronte vendim politik dhe do ta dërgonte rastin në Gjykatë.

“Në rast se nuk intervistohem nga një komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të sqarohet në detaje se cilat shkelje të mundshme i kam bërë si anëtar i Bordit të RTK-së dhe në rast se ditëve të ardhshme shkarkohem në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vendimin do ta konsideroj politik dhe do ta ankimoj në Gjykatë. I vetëdijshëm se verdikti i Gjykatës mund të vonohet me vite, ka shumë rëndësi që kurdo që të ndodh, të dëshmoj pastërtinë time para Zotit, familjes dhe institucioneve të vendit”, thuhej në letër.

Exit mobile version