UBT News

Reagon Abdixhiku: Koeficienti i zbrazjes së Kosovës!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas publikimit të vlerës së koeficientit, duke thënë se kjo është një goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve e ushtarëve.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku shkroi se në krizën më të madhe ekonomike e sociale ndër vite, Qeveria sërish tregoi pandjeshmëri.

Tutje ai shkroi se LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125, për çka tha se do ta dërgojnë menjëherë si amandament në Kuvend.

“Gjithçka më pak se aq është ulje e pagave për disa e mosrritje për të tjerët. Është injorim i inflacionit e kushteve të rënduara të jetesës. Këtë propozim do të dërgojmë menjëherë edhe si amandament në Kuvend”, shkroi ai mes tjerash.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot e ka bërë publik koeficientin për Ligjin e Pagave. Ligji që hyn në fuqi pas pak ditësh rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se këtë vit vlera e koeficientit do të jetë 105 euro, ndërsa vitin e ardhshëm 110./UBTNews/

Exit mobile version