Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në reagim nga ambasada amerikane theksohet se një veprim i tillë rrezikon të minojë stabilitetin e Kosovës, si dhe interesat strategjike të SHBA-së në vend. Sipas ambasadës, ky vendim është i pamenduar dhe ka potencial përçarës për skenën politike dhe komunitetet në vend.
Më tej, në reagim paralajmërohet se pasojat e këtij hapi mund të ndikojnë negativisht edhe në vazhdimin e dialogut strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke ngritur shqetësime për mundësinë e shtyrjes së tij.
“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë të pamenduara dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”, thuhet në reagim./EO
