Ndalimi i hixhabit për sportistet franceze në Lojërat Olimpike të Parisit është konsideruar si një “shqetësim”, “i padrejtë” dhe një “shkelje e të drejtave të njeriut” nga sportistë dhe organizata si Human Rights Watch. Ligjet laike të Francës ndalojnë përdorimin e shamisë islamike jo vetëm për sportistët, por edhe për punonjësit e shtetit dhe nxënësit në shkolla.
Sipas zyrtarëve të qeverisë franceze, sportistët që përfaqësojnë ekipin e Francës janë në një “mision shërbimi publik” dhe, për këtë arsye, duhet të respektojnë parimin e neutralitetit, duke mos përdorur simbole fetare. Ministrja e Sportit, Amelie Oudea-Castera, theksoi se ky është një kërkesë e ligjit dhe kushtetutës franceze.
Atletja Sounkamba Sylla, e cila ishte në një betejë me qeverinë për të drejtat e saj për të veshur hixhabin, arriti të gjejë një kompromis dhe do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse me një kapele bejsbolli.
Nga ana tjetër, Saoussen Boudiaf, një sportiste me origjinë algjeriane, shprehu se mbulimi me hixhab është një veprim simbolik dhe një mënyrë për të mbrojtur atletët që ndihen të përjashtuar nga sporti për shkak të ligjeve franceze.
Human Rights Watch e ka cilësuar ndalimin si një shkelje të lirisë fetare dhe të drejtave të grave, duke argumentuar se atletët nuk duhet të detyrohen të zgjedhin midis fesë së tyre dhe pasionit për sportin.
Përveç Lojërave Olimpike, rregullat për përdorimin e hixhabit ndryshojnë në varësi të federatave sportive në Francë, me disa që e ndalojnë dhe të tjera që e lejojnë. Kjo situatë ka nxitur polemika të shumta mbi rolin e fesë dhe simboleve fetare në shoqërinë franceze, veçanërisht në një vend me një komunitet të madh mysliman./UBTNews/