Në gjykimin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza, i njohur si rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari Hysen Statovci ka thënë se për vizë italiane për djalin e tij ka paguar diku 3 mijë e 500 ose 4 mijë e 500 euro.
Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill të vitit 2022.
“E di që në polici e kam përmendur një shifër që mund të jetë 3 mijë e 500 ose 4 mijë e 500 euro”, ka thënë dëshmitari Statovci duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por personit të cilit ia kishte dhënë këto para, i njëjti tha se nuk e njeh.
“Ja kam dhënë një personit të cilin nuk e njoh. Mos gabofsha u kon te ky kryqi i Lipjanit, në një kafe aty, kur ja kam dhënë paret kam qenë vet”, deklaroi dëshmitari Statovci.
E këto para, ai tha se atij personit ia ka dorëzuar pasi që ia ka sjellë vizën.
Tutje, dëshmitari Statovci ka thanë se pastaj djali i tij me të njëjtën vizë ka shkuar në Itali.
Gjithashtu në këtë seancë, janë dëgjuar edhe dëshmitarët Valentina Palacaj dhe Safet Vllaqi.
Dëshmitarja Palacaj deklaroi se në vitin 2013-2014 ka qenë e interesuar për një vizë italiane dhe në lidhje me këtë vizë e njëjta kishte rënë në kontakt me një person me emrin Shaqë përmes bashkëshortit të saj.
“Unë burrin e kam pas në Zvicër, përmes burrit dhe një shokut të tij jam takuar me atë person për të cilin ma kanë dërguar numrin e tij”, tha ajo.
E njëjta ka thënë se me atë person ishte takuar një herë në Prizren të cilit edhe ia kishte dorëzuar pasaportën e cila sipas saj nuk i ishte kthyer kurrë më.
“Më ka premtu se brenda një muaji në janar ka me t’dal viza edhe nuk është fallc, kom prit por nuk ma kanë kthyer me kurrë pasaportën”, tha dëshmitarja Palacaj.
Sipas saj, marrëveshja për këtë vizë ka qenë 7 mijë euro, por këtë shumë të parave ajo tha se nuk e ka dhënë.
Tutje, e njëjta nuk arriti që ta identifikojë personin në fjalë pasi që asaj ia lejoji gjykata që t’i shikonte të akuzuarit në sallë.
Palacaj po ashtu tha se ndihet e dëmtuar nga ky proces pasi që një kohë të gjatë nuk kishte mundur të pajiset me pasaportë.
“Unë asnjëherë nuk kam dalë jashtë shtetit por saher i kam dhënë gishtat dilke tjetër femër, tash qe 2 muaj e kam marr një pasaportë të ri, e kam pas ndalesë me marrë pasaportë”, deklaroi ajo.
Sipas saj ajo pasaportë është përdorur nga pesë femra tjera.
Edhe pse e njëjta fillimisht deklaroi se ndihet e dëmtuar nga ky proces, ajo nuk parashtroi kërkesë pasurore juridike.
Kurse dëshmitari Vallqi gjatë deklarimit të tij ka thënë se kishte qenë i interesuar për një vizë italiane dhe për të cilën ai tha se fillimisht kishte provuar në ambasadë.
“Kam qenë i interesuar për t’u pajisur me vizë italiane të cilën e kam provuar përmes ambasadës, unë kam dashtë me apliku po tani su bo me apliku, se tani m ‘thirrën policia”, tha Vallqi.
Por i njëjti tha se nuk kishte arritur te pajiset me vizë dhe pas një kohe pasaportën ia kishte kthyer policia.
“Unë nuk e di ku e kanë marr policia pasaportën as nuk më kanë treguar ku e kanë marrë, unë e kam filluar procedurën për një vizë, dhe pas një kohe m ‘kanë thirr policia edhe ma kanë kthy pasaportën”, tha ai.
E i pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili se kujt ia kishte dhënë fillimisht pasaportën të cilën pastaj e kishte kthyer policia, i njëjti tha se nuk i kujtohet kujt sepse ka kaluar një kohë e gjatë.
“Në polici në deklaratë më kanë pyetur për shumë emra m’kanë thanë a pi njeh, unë qata çka i kom njoft i kom njoft, të Mitrovicës kanë qenë 1 ose 2”, ka deklaruar ai.
I njëjti tha se nuk i kujtohej nëse në polici kishte deklaruar se në lidhje me vizën italiane ishte takuar me një person me emrin Ardian Zeqiri dhe se do të paguante shumën prej 3 mijë euro.
“S’e di se qe 10 vjet i ka kjo punë, se maj men çka kom fol para 10 vjete”, tha ai.
I njëjti tha se nuk kishte arritur të pajisej me vizë italiane.
Ndërsa, të akuzuarin Azad Beqiraj i njëjti tha se e njeh vetëm përmes një lokali që ka shitur rroba.
Të tre dëshmitarët pohuan se kanë dhënë deklaratë në polici. Dëshmitarët Statovci dhe Palacaj deklaruan se qëndrojnë pranë deklaratës së dhënë polici, ndërsa dëshmitari Vallqi tha se nuk i kujtohej ajo se çfarë ka deklaruar.
Seanca e radhës për këtë rast do të vazhdoj më 16 qershor 2023, ku pritet që gjykata të vendos në lidhje me disa dëshmitarë tjerë.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkonte Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.
PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.
Rasti “Ukë Rugova I”, më 30 mars 2023 ka marrë epilog në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Ukë Rugova u lirua nga akuza për krim të organizuar me vizat italiane, ndërsa u dënua me 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje.
Pra, Themelorja mori aktgjykim lirues lidhur me veprën penale krim i organizuar ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, ndërsa aktgjykim dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit.