Një variant i ri i koronavirusit po përhapet në Evropë dhe globalisht mund të bëhet variant dominues, paralajmërojnë ekspertët. Varianti XEC është përzierje e subvarianteve të mëhershme sikurse KS.1.1 dhe KP.3.3, që aktualisht po dominon në Evropë. Megjithatë mutacionet e variantit XEC mund t’i ndihmojnë që të përhapet më lehtësisht këtë vjeshtë, thanë ekspertët e shëndetit.
Megjithatë sipas një zëdhënësi evropian nga Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, ky virus ende nuk është variant shqetësues.
“Një numër shumë i kufizuar i rasteve me XEC janë raportuar deri më sot”, tha zëdhënësi.
Shkencëtarët identifikuan për herë të parë variantin XEC në Berlin në muajin qershor dhe që atëherë është diagnostikuar në të paktën 11 vende evropiane dhe katër vende të tjera në mbarë botën.
Deri më tani, XEC përbën të paktën 1 përqind të të gjitha mostrave të renditura në Slloveni, Belgjikë, Gjermani dhe Holandë, sipas të dhënave të institutit Scripps Research me bazë në SHBA, të përditësuara në fillim të këtij muaji. Është identifikuar gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkë, Francë, Irlandë, Suedi, Itali dhe Spanjë./UBTNews/