Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i lehtësojnë masat antiCOVID, ekspertët po ngrisin shqetësime se personat që nuk janë të vaksinuar plotësisht mund të ndikojnë në përhapjen e mëtejme të virusit.
Varianti Delta, që së pari u shfaq në Indi, aktualisht përbën 10% të rasteve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Teksa shqetësimet po rriten se ky variant mund të bëhet variant dominues së shpejti, ekspertët mjekësorë po theksojnë rëndësinë e vaksinimit të plotë.
“Po shqetësohem për personat që s’janë vaksinuar”, deklaroi kirurgu i përgjithshëm amerikan, Vivek Murthy, teksa shtoi se varianti delta “po përhapet me shpejtësi të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ekspertët thonë se varianti Delta është një “variant shqetësimi”, një emërtim i dhënë për llojet e virusit që shkencëtarët besojnë se janë më të transmetueshme ose mund të shkaktojnë sëmundje më të rëndë.
Varianti Delta “duket të jetë dukshëm më i transmetueshëm se edhe varianti Alpha ose varianti i Mbretërisë së Bashkuar, i cili tani është mbizotërues në Shtetet e Bashkuara”, i tha Murthy CNN.
Lajmi i mirë është se vaksinat duket se janë efektive kundër variantit Delta./UBTNews