Numri i grave dhe vajzave që mund të përballen me dhunë në familje në Afrikën Sub-Sahariane mund të trefishohet pothuajse deri në vitin 2060 – një rritje prej më shumë se 90 milionë – si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kështu sipas parashikimeve të publikuara të enjten në një raport të ri nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).
Shkencëtarët besojnë se fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat e tjera klimatike, si thatësirat, përmbytjet dhe tërmetet, zakonisht nuk shkaktojnë dhunë me bazë gjinore, por përkeqësojnë problemet ekzistuese.
Stresi si pasojë e zhvendosjes, humbja e mbështetjes sociale, rritja e abuzimit me alkoolin, pasiguria ushqimore, presionet financiare dhe arsye të tjera mund ta bëjnë më të lehtë për autorët që të aplikojnë dhunën dhe t’i lënë viktimat nën izolim.
Disa studime e kanë lidhur nxehtësinë ekstreme me dhunën, ku thuhet se temperaturat e larta mund të nxisin rritjen e agresionit.
Për studimin e ri, studiuesit analizuan anketat demografike dhe shëndetësore që matin përvojat e grave me dhunën fizike dhe seksuale nga bashkëshorti ose partneri i tyre intim, dhe më pas i vendosën ato në skenarë të mundshëm në të ardhmen bazuar në faktorët social dhe mjedisor në rajon./UBTNews/