UBT News

Raste të shumta të incidenteve kriminale

Policia e Kosovës ka njoftuar për një numër rastet të incidenteve kriminale, të ndodhura në vendin tonë gjatë 24 orëve të fundit.

Në rajonin e Prishtinës është njoftuar për një rast të përdorimit të armës.

“Ankuesi ka raportuar se ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë”, njoftoi Policia.

Po në Prishtinë është njoftuar edhe për një rast të kanosjes. Sipas Policisë, një person ka raportuar se është kanosur nga një i dyshuar, i cili më pas është larguar në drejtim të panjohur.

Në Shtime, një person është arrestuar për legalizim të përmbajtjes së rreme.

“Pas një pune hetimore, zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht  Sektori për Hetime Financiare,  kanë arrestuar të dyshuarën femër, shtetase e Maqedonisë së Veriut,  e cila pasi që kishte falsifikuar autorizim tek një noter në Maqedoninë e Veriut, kishte arritur që në mënyrë të kundërligjshme t’i shesë dy pronat  e  xhaxhait të saj. E dyshuara pas intervistimit me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njoftoi Policia.

Është njoftuar edhe për një rast mashtrimi. “Është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjtë që nga viti 2025 është prezantuar rrejshëm si zyrtar i AKI-së dhe në vazhdimësi i ka kërkuar  të holla viktimës, duke i premtuar se do ta punësojë në AKI. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, theksohet në raportin ditor të Policisë.

Në Gjilan u njoftuar për një rast të konfiskimit të armëve të zjarrit. Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Makresh, është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me 4 fishekë.

Ndërsa në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Viti, Njësia për  Hetimin  e Narkotikëve, gjatë një kontrolli ka ndaluar një veturë, gjatë kontrollimit brenda në veturë ka gjetur në posedim të personit të dyshuar rreth 9.22 gramë substancë e llojit marihuanë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt.

Edhe në Ferizaj u njoftua për një rast të armëmbajtjes pa leje. ”Pas pranimit të informatës se i dyshuari mashkull kosovar, posedon armë zjarri, njësitë policore kanë kontaktuar me të dyshuarin, i cili ka dorëzuar armën e zjarrit – pushkë gjuetie. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Në rajonin e Pejës u njoftua për një vjedhje të rëndë. Sipas Policisë, ankuesi raporton se persona te pa njohur kanë hyrë brenda në stanin e vëllait  të tij dhe kanë vjedhur një armë pushkë gjuetie dhe  15 fishekë për të cilën ka leje.

Policia ka gjetur armë në fshatin Mleqan të Malishevës. “Raportohet se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar, është gjetur dhe konfiskuar një armë dhe 7 fishekë. Nuk raportohet për të arrestuar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, njoftoi Policia.

Një rast i dyshuar armëmbajtjeje pa leje u shënua edhe në Skivjan të Gjakovës. “Më 21.10.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që njësiti i hetimeve kishte pranuar një fotografi të dyshuarit me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47. Gjatë intervistimit i dyshuari ka mohuar që posedon armën e cekur. Lidhur me rastin është bastisur shtëpia e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Me vendim të prokurorit, pas përfundimit të procedurave policore i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Dy raste me armëmbajtje u shënuan edhe në Vushtrri e në Skenderaj.

”Ankuesi, pronar i një lokali, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, klienti i tij,  nën ndikim të alkoolit, ka përdorur fjalë fyese dhe sjellje jo korrekte ndaj tyre. Gjatë kontrollit në  oborrin e lokalit kanë gjetur dhe konfiskuar: një armë pistoletë, me dy karikatorë, për të cilën pronari kishte leje e armës për shenjëtari dhe një sprej. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar dhe rasti procedohet ne procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Ndërsa në Skënderaj, njësiti i hetimeve kishte iniciuar rast, pasi kishte pranuar një video të të dyshuarit mashkull kosovar, me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti nën hetime.

 

 

Exit mobile version