Vetëm 8 muaj pas triumfit në zgjedhjet e përgjithshme, Vetëvendosja duket sikur ka humbur kapitalin e saj politik pas rezultateve të zgjedhjeve vendore, ku ka dështuar në qendrat më të mëdha të Kosovës, duke filluar nga Prishtina.
Sipas analistit Naim Rashiti, “në kontekstin kosovar, duhet theksuar se 14 shkurtit ishte rezultat i momentit, i frymës, i ndëshkimit, dhe secili prej nesh e dinte që ishte i paqëndrueshëm. Por edhe në 2013 dhe 2014 kemi parë subjekte që kishin fituar zgjedhjet e përgjithshme kanë performuar keq në zgjedhjet lokale”,
Por sipas tij, Vetëvendosje ka një element të veçantë. “Gjithmonë VV ka patur një defekt, është lëvizje me frymë kombëtare dhe për politikat madhore por asnjëherë që nuk ka arritur të ndërtojë nomenklaturë politike vendore, përtej Prishtinës që me VV ka përjetuar qeverisjen më të keqe në performancë. Për të qeverisur në nivel qendror dhe lokal, partisë i duhen emra të fuqishëm, dhe te VV mungon pjesa në nivel lokal, duke përjashtuar Gjilanin. Në Prishtinë, Kurti nuk kishte kandidat më të mirë se Vitia, ishte njeriu i vetëm përfaqësues i qytetarisë së Prishtinës”, komentoi Rashiti për A2 CNN.
Ndryshe, sipas tij, situata në partitë në opozitën parlamentare. “AAK ka vite që është stabile në disa komuna. Ka identifikuar persona që ndoshta nuk lidhen me imazhin e AAK, por kanë influencë të madhe në komunitetet e tyre. Në Gjakovë kryetari ka bërë ndryshime të mëdha dhe gëzon popullaritet të gjerë, jashtë edhe proceseve zgjedhore.
PDK dhe LDK kanë krijuar figura politike të njohura në dy nivelet, qendrore dhe lokale, dhe këto figura kanë identitetin e vet, paralel me subjektet e tyre politike, nga Bedri Hamza te Muhaxheri etj.
Për LDK dhe PDK, varet nga edhe reforma pas 14 shkurtit. Nuk mund të flasim më për partitë e së kaluarës, sepse kanë vendosur standarde të reja, me struktura te reja. Abdixhiku ma zgjedhur një emër të ri si Përparim Rama që pak e njihnin dhe me mbështetjen e tij fitoi Prishtinën, ndërkohë që fillimisht ka patur hezitim edhe brenda partisë. E njëjta për PDK, me një imazh tërësisht tjetër të politikbërjes, me një marrëdhënie të ndryshme me të kaluarën, me UCK-në. Jo çdo subjekt ka arritur atë që ka dashur, por në tërësi opozita ka marrë mesazhin e 14 shkurtit dhe janë rikthyer” , tha Rashiti.
Sipas tij, “tani kemi edhe një herë tre subjekte pak a shumë në të njëjtin dimension, si dhe një të katërt më të vogël si AAK, duke krijuar sërish një stabilitet”.
Për sa i përket vetëvendosjes, analisti mendon se nuk do të ketë kohë për reflektim, dhe jo vetëm për fajin e saj. “ Asnjë nga elitat kosovare kanë reflektuar deri sa ishin në pushtet, sepse pushteti i ngërthen aq shumë saqë nuk lë hapësirë për të përmirësuar politikbërjen dhe diskursin. Mungesa e kapacitetit njerëzor dhe situata në të cilën gjendet Kosova do te gërryej subjektin politik në qeveri”, thotë ai në “Debat”.