Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se procesi i nënshkrimit të peticioneve, i cili do të hap rrugën për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komuna në veri të Kosovës, është proces legjitim korrekt i përcaktuar nga institucionet e Kosovës. Ai ka thënë se si qeveri kanë pasur të drejtë që nga fillimi që shkarkimi i katër kryetarëve të bëhet përmes Udhëzimit Administrativ dhe jo me propozime të tjera improvizuese.
“Ky është proces legjitim korrekt është i përcaktuar prej institucioneve kosovare sikurse që është prej anës së Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe unë jam në fund i bindur se procedurat të cilat i përcaktojmë ne si institucion ose vet institucionet që e kanë të drejtën me kreditin e dokumenteve. Kemi pasur të drejt prej fillimit që duhet një zgjidhje sistematike. Jo propozime që kemi pasur me improvizime”, tha ai.
Rashiq ka shtuar se dizajnimi i Udhëzimit Administrativ, ka qenë dëshmi që krijimi i bazave ligjore është diçka që institucionet në Kosovë dinë ta bëjnë me profesionalizëm.
“Opsioni i parë ka qenë dorëheqja e kryetarëve, dhe kjo e ka pasur një konotacion shumë të çuditshëm që kryetarët ta japin dorëheqje pas një kohe të shkurtër, pavarësisht se nuk i hyjnë legjitimitetit unë po flas për legalitetin, dhe në këtë rast kur dizajnohet Udhëzimi Administrativ për mua është një dëshmi që krijimi i bazave ligjore është diçka që institucionet e Kosovës janë të gatshme ta bëjnë në mënyrë profesionale”, është shprehur ai.
Tutje ai u shpreh se nënshkrimi i peticionit është vetëm iniciativa fillestare e gjithë procesit, por që ai bëri thirrje që e gjithë procedura të respektohet.
“Nënshkrimi i peticioni i kërkesës për shkarkim është një iniciativë fillestare, i cili po duhet ta siguroj daljen në referendum e kështu me radhë. Por prapë po kthehemi në atë aspekt që duhet me pas forma dhe dinamika të punës në këtë rast procesi të respektohet siç duhet”, tha ai.