Iniciativa Qytetare “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, me seli në Graçanicë dhe Lëvizja “Odgovor” me seli në Beograd, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi dhe përfaqësimi të përbashkët me qëllim, siç u tha nga Nenad Rashiq dhe Boban Bogdanoviq, të përmirësojnë kushtet në mënyrën më të mirë dhe më efikase të jetës së serbëve në Kosovë dhe të kontribuojë në bashkëjetesën e qëndrueshme të serbëve dhe shqiptarëve.
Në dokumentin e nënshkruar ndër të tjera thuhet se “imperativi i këtij bashkëpunimi do të jetë i përqendruar në bashkëpunimin me institucionet e Kosovës në mënyrë që të krijohen kushtet e nevojshme që qytetarët të jetojnë në një vend ligjor dhe të drejtë, ku institucionet janë të pavarura dhe të forta dhe ku askush nuk do të ketë më frikë nga falangat kriminale që mbjellin frikë me qëllim të shkatërrimit të bashkëjetesës së serbëve dhe shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
“Me atë që kemi nënshkruar sot pres që të jemi më afër Beogradit, por pres që të jemi më afër edhe me Prishtinën sepse urat e komunikimit, në këtë rast, dhe bashkëpunimit nga ana jonë ndërtohen mbi baza shumë të sinqerta të partneritetit dhe ne dëshirojmë që marrëdhëniet e tilla të ndërtojnë të dyja palët”, tha Nenad Rashiq, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Liri, Drejtësi, Mbijetesë”.
Ndërsa kryetari i Lëvizjes “Odgvor”, Boban Bogdanoviq tha se do të punojnë me forca të përbashkëta për bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve dhe integrimin evropian, raporton MediaCenter.
“Do të jetë një punë shumë e vështirë sepse do të kemi shumë armiq politikë, veçanërisht në Beograd, por kjo do të jetë imperativ që ne të bashkëpunojmë më fort dhe të përpiqemi t’i zgjidhim të gjitha problemet që vijnë, si nga Beogradi, ashtu edhe nga Prishtina në mënyrë paqësore, përmes dialogut dhe bashkëpunimit të fuqishëm me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë”, tha Bogdanoviq.
Duke komentuar situatën aktuale në veri të Kosovës, Bogdanoviq tha se “është gënjeshtër e Beogradit se institucionet e Prishtinës po bëjnë terror ndaj serbëve”.
“Terrori kryhet ekskluzivisht nga klani Radoiçiq-Veselinoviq. Më pas Escobar (i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor) u takua dje apo pardje me përfaqësuesit e Listës Serbe. Dhe kush janë ata? Është krahu politik i klanit kriminal Veselinoviq-Radoiçiq dhe kjo është një situatë paradoksale. Keni njerëz që i mbajnë peng votuesit e tyre dhe bëjnë çfarë të duan me ta”, tha ai.
Bogdanoviq ka komentuar edhe braktisjen e institucioneve serbe.
“Budallallëku më i madh politik që mund të ishte iniciuar nga Beogradi është që policët të tërhiqen, të heqin uniformat dhe tani të jenë në listën e pagave të Republikës së Serbisë, ndërsa, me sa mbaj mend, z. Gjuriq rrogën e tij ende e merr, sepse është i pezulluar. Kështu, sa i përket barrikadave, për herë të parë dhe të fundit do t’i kërkoj zotave të jetës dhe vdekjes që t’i lënë njerëzit të përgatisin festat e tyre, t’i presin të afërmit dhe miqtë e tyre dhe të lejojnë që fluksi i njerëzve dhe mallrave të funksionojë midis dy shteteve”, tha Bogdanoviq.
Në memorandumin për “bashkëpunim politik” thuhet se “pas dekadave të politikave të gabuara dhe konflikteve të përgjakshme, qytetarët e Kosovës meritojnë të vërtetën dhe një përpjekje të madhe nga të gjitha palët për të vendosur paqen përfundimtare”.