Raportuesi special i OKB-së për territoret e pushtuara palestineze thotë se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar me bombardimin e Rripit të Gazës, duke rrafshuar lagje të tëra dhe ka vrarë më shumë se 24 mijë palestinezë.
“Izraeli ka bërë një sërë gjërash që janë kryesisht të paligjshme”, tha Francesca Albanese në një konferencë shtypi në Madrid. “E drejta ndërkombëtare humanitare duhet të respektohet për të mbrojtur njerëzit që nuk marrin pjesë në luftime: civilët, të burgosurit e luftës, të sëmurët dhe të plagosurit”.
“Kjo nënkupton se duhet të bëhet dallimi midis luftëtarëve dhe civilëve dhe të sigurohet që sulmet ushtarake të jenë proporcionale për të shmangur dëmtimet ndaj civilëve. Në vend të kësaj, ajo që ndodhi ishte më shumë se 100 ditë bombardime të rënda. Në dy javët e para të luftës, 6 mijë bomba u përdorën në javë, bomba secila me peshë 2,000 paund [rreth një ton], në zona shumë të mbushura me njerëz”./UBTNews/