UBT News

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian po viziton veriun

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras është duke qëndruar në veri të Mitrovicës.

Ai është duke zhvilluar takime veç e veç me përfaqësues të ndryshëm politik të serbëve në Shtëpinë e Evropës në veri të Mitrovicës.

Ai ka mbaruar takimin me përfaqësuesit e Listës serbe, ndërsa mësohet se tashmë është duke biseduar me përfaqësues të “Demokracisë serbe”.

Dje në Prishtinë,Terras dënoi sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në veri, derisa theksoi se të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë.

Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.

Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.

Sulmi është dënuar prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorportata Energjetike e Kosovës.

Exit mobile version