UBT News

Raportohet se Taylor Swift dhe Travis Kelce janë martuar në fshehtësi

Taylor Swift dhe Travis Kelce raportohet se i kanë dhënë fund beqarisë në një ceremoni private, disa ditë përpara festës madhështore që pritet të mbahet në Madison Square Garden në New York.

Sipas Page Six, superylli i muzikës dhe lojtari i Kansas City Chiefs kanë shkëmbyer betimet martesore në praninë e një rrethi shumë të ngushtë familjarësh dhe miqsh, ndërsa festa zyrtare me mbi 1,000 të ftuar do të zhvillohet të premten, pas një darke provë me rreth 100 të ftuar.

“Ata janë tashmë të martuar”, ka deklaruar një burim i afërt me çiftin, ndërsa burime nga industria muzikore në Nashville pretendojnë se Swift dhe Kelce janë kurorëzuar edhe ligjërisht.

Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar. Sipas Page Six, në Zyrën e Gjendjes Civile në Manhattan nuk rezulton të jetë lëshuar ndonjë licencë martese në emrin e Taylor Swift, ndërsa licencat e martesës në shtetin e New York-ut nuk janë publike.

Raportimet sugjerojnë se ceremonia private mund të jetë zhvilluar në Tennessee, shteti ku Taylor Swift u shpërngul në adoleshencë për të ndjekur karrierën muzikore.

Spekulimet u shtuan edhe më shumë pasi, sipas New York Post, avioni privat i këngëtares bëri ndalesa në disa qytete ku jetojnë familjarët më të afërt të çiftit, përfshirë Philadelphia, Tampa dhe Nashville, pak para se të mbërrinte në New York.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mëhershme, çifti kishte dhuruar 26 milionë dollarë për bamirësi përpara festimeve të dasmës. Deri tani, as Taylor Swift dhe as Travis Kelce nuk kanë reaguar ndaj zërave për martesën./A.K/

Exit mobile version