UBT News

Raportohen disa raste të dhunës në familje në Kosovë, të dyshuarit arrestohen

Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit, ku viktima kanë qenë familjarë, përfshirë bashkëshortet, motrat dhe prindërit.

Në Prishtinë, më 24 tetor është raportuar se një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij. Rasti është duke u hetuar. Ndërkaq, më 26 tetor është raportuar edhe një rast që përfshin ish-bashkëshortin e një viktime.

Në Ranillug, një person është arrestuar pasi dyshohet se, pas një fjalosjeje, ka sulmuar fizikisht motrën e tij. Të dy kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është raportuar në Viti, ku bashkëshorti dhe vëllai i një gruaje dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa të dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një person është arrestuar nën dyshimin se e kishte kanosur ish-bashkëshorten përmes telefonit dhe më pas, më 26 tetor, kishte dëmtuar xhamat e shtëpisë së nënës së saj. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec, një baba dhe vajza e tij kanë raportuar se djali dhe vëllai i tyre dyshohet se ushtron vazhdimisht dhunë psikike ndaj familjarëve. Rasti, me vendim të prokurorit, vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Gjakovë, një grua ka raportuar se është keqtrajtuar nga bashkëshorti. I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

Edhe në Vushtrri është arrestuar një person, i dyshuar se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe më pas e ka larguar nga shtëpia. Ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Po ashtu, në Greqi është raportuar një rast i kanosjes ndaj një gruaje nga ish-bashkëshorti i saj, shtetas i Kosovës. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

/A.K/

Exit mobile version