Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave pas raportimeve se në lagjen e re në fshatin Bardhosh të Prishtinës janë duke u ndërtuar 12 shtëpi pa leje.
Në njoftim thuhet se mbetet e përkushtuar që të trajtojë çdo informacion i cili paraqet dyshime për vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton se pas publikimit në media lidhur me dyshimet se në Komunën e Prishtinës, më konkretisht në lagjen e re në fshatin “Bardhosh” të Prishtinës janë duke u ndërtuar 12 shtëpi pa leje, Prokurori i Shtetit njëherazi Koordinatori i krimeve kundër mjedisit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave me qëllim të verifikimit të këtyre informacioneve. Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar që të trajtojë çdo informacion i cili paraqet dyshime për vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.